Psalmi 21

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Falenderim për fitoren

21:1 O Zot, mbreti do të gëzohet me forcën tënde dhe do të ngazëllojë për shpëtimin tënd!

21:2 Ti ia plotësove dëshirën e zemrës së tij dhe nuk hodhe poshtë kërkesën e buzëve të tij. (Sela)

21:3 Sepse ti i dole para me bekime begatie, i vure mbi kokë një kurorë prej ari shumë të kulluar.

21:4 Ai të kishte kërkuar jetë dhe ti i dhe ditë të gjata në përjetësi.

21:5 E madhe është lavdia e tij për shpëtimin tënd; ti i dhe madhështi dhe lavdi,

21:6 sepse ti e bën shumë të bekuar përjetë, e mbush me gëzim në praninë tënde.

21:7 Duke qenë se mbreti ka besim te Zoti dhe në mirësinë e Shumë të Lartit, ai nuk do të hiqet kurrë.

21:8 Dora jote do të arrijë tërë armiqtë e tu, dora jote e djathtë do të veprojë kundër atyre që të urrejnë.

21:9 Ti do t`i bësh si një furrë të zjarrtë kur do të dukesh i zemëruar; në zemërimin e tij Zoti do t`i hedhë në humnerë dhe zjarri do t`i përpijë.

21:10 Ti do të zhdukësh frytin e tyre nga toka dhe pasardhësit e tyre midis bijve të njerëzve,

21:11 sepse kanë kurdisur të keqen kundër teje dhe kanë përgatitur plane të këqija, por nuk do t`ia dalin.

21:12 Sepse ti do të bësh që ata të kthejnë kurrizin dhe do të drejtosh shigjetat e harkut tënd kundër fytyrës së tyre.

21:13 Çohu, o Zot, me forcën tënde; ne do të këndojmë dhe do të kremtojmë lëvdimet e fuqisë sate.

[previous][next]