BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Lutje për shkatërrimin e njerëzve të këqij
55:1 O Perëndi, vëri veshin lutjes sime dhe ki parasysh kërkesën time.
55:2 Dëgjo kërkesën time dhe përgjigjmu; ankohem vazhdimisht dhe rënkoj,
55:3 për zërin e armikut, për shtypjen e të pabesit; sepse më bien mbi kurriz disa fatkeqësi dhe në zemërimin e tyre më ndjekin këmba këmbës.
55:4 Zemra ime është e shqetësuar në trupin tim dhe tmerre që shkaktojnë vdekjen kanë rënë mbi mua.
55:5 Frika dhe të drithma më kanë sulmuar dhe tmerri më ka mposhtur.
55:6 Prandaj kam thënë: “Ah, sikur të kisha krahë si një pëllumb! Do të fluturoja larg për të gjetur prehje.
55:7 Ja, do të ikja larg dhe do të qëndroja në shkretëtirë. (Sela)
55:8 Do të shpejtoja për të gjetur një strehë nga era e furishme dhe nga furtuna”.
55:9 Shkatërroji, o Zot, ngatërro gjuhët e tyre, sepse kam parë dhunë dhe kacafytje në qytet.
55:10 Ditën dhe natën sillen mbi muret e tij; brenda tij sundojnë e keqja dhe çoroditja.
55:11 Në mes të tij është lakmia; shtypja dhe gënjeshtra janë të zakonshme në rrugët e tij.
55:12 Sepse nuk ka qenë një armiku im që tallej me mua, përndryshe do ta kisha duruar; nuk ka qenë një që më urrente ai që u ngrit kundër meje, ndryshe do t`i isha fshehur atij.
55:13 Por ke qenë ti, një njeri si unë, shoku im dhe miku im i ngushtë.
55:14 Bënim bashkë biseda të këndshme dhe shkonim bashkë në shtëpinë e Perëndisë.
55:15 I zëntë befas vdekja, u ulshin të gjallë në Sheol, sepse në banesat e tyre dhe në mes tyre nuk ka veçse ligësi.
55:16 Sa për mua, do t`i kërkoj ndihmë Perëndisë, dhe Zoti do të më shpëtojë.
55:17 Në mbrëmje, në mëngjes dhe në mesditë do të ankohem dhe do të rënkoj, dhe ai do të dëgjojë zërin tim.
55:18 Ai do ta shpengojë jetën time dhe do ta sigurojë nga lufta që bëhet kundër meje, sepse janë të shumtë ata që janë ngritur kundër meje.
55:19 Perëndia do të më dëgjojë dhe ka për t`i poshtëruar, ai që ulet si sovran gjithnjë, sepse ata nuk ndryshojnë dhe nuk kanë frikë nga Perëndia. (Sela)
55:20 Ai ka shtrirë duart kundër atyre që jetonin në paqe me të, ka shkelur besëlidhjen e tij.
55:21 Goja e tij ishte më e ëmbël se gjalpi, por në zemër ai kishte luftën; fjalët e tij ishin më të buta se vaji, por ishin shpata të zhveshura.
55:22 Hidh mbi Zotin barrën tënde, dhe ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.
55:23 Por ti, o Perëndi, do t`i zbresësh këta në pusin e humbjes; njerëzit gjakatarë dhe hileqarë nuk do të arrijnë në gjysmën e ditëve të tyre; por unë do të kem besim te ti.