BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Himn falenderimi dhe lëvdimi
108:1 Zemra ime është e prirur për mirë, o Perëndi, unë do të këndoj dhe do të kremtoj lëvdimet e tua me gjithë forcën time.
108:2 Zgjohuni, o harpa dhe qeste, unë dua të zgjoj agimin.
108:3 Unë do të të kremtoj midis popujve, o Zot, dhe do të këndoj lëvdimet e tua midis kombeve.
108:4 Sepse mirësia jote është e madhe, arrin deri mbi qiejtë, dhe e vërteta jote deri te retë.
108:5 Qofsh i përlëvduar, o Perëndi, përmbi qiejtë dhe lavdia jote shkëlqeftë mbi gjithë tokën,
108:6 me qëllim që të dashurit e tu të çlirohen; shpëtomë me të djathtën tënde dhe përgjigjmu.
108:7 Perëndia ka folur në shenjtërinë e tij: “Unë do të triumfoj, do ta ndaj Sikemin dhe do të mas luginën e Sukothit.
108:8 Imi është Galaadi, imi është Manasi, Efraimi është forca e kokës sime, Juda është ligjvënësi im;
108:9 Moabi është legeni ku unë lahem; mbi Edomin do të hedh sandalen time, mbi Filisti do të dërgoj britma triumfi”.
108:10 Kush do të më çojë në qytetin e fortë? Kush do të më çojë deri në Edom?
108:11 A nuk je ti, o Perëndi, që na ke kthyer, dhe nuk del më, o Perëndi, me ushtritë tona?
108:12 Na ndihmo ti kundër kundërshtarëve, sepse ndihma e njeriut është e kotë.
108:13 Me Perëndinë do të kryejmë trimëri, dhe do të jetë ai që do t`i shtypë armiqtë tanë.