BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Britmë zemërthyer nga pikëllimi më i thellë
88:1 O Zot, Perëndi i shpëtimit tim, unë bërtas ditë e natë para teje.
88:2 Arriftë deri te ti lutja ime, vëri veshin britmës time,
88:3 sepse shpirti im është ngopur me të keqen, dhe jeta ime ka arritur deri në Sheol.
88:4 Tanimë përfshihem ndër ata që do të zbresin në gropë, jam si një njeri që nuk ka më forcë.
88:5 Jam braktisur midis të vdekurve ashtu si të vrarët që janë në varr, të cilët ti nuk i mban mend dhe që janë prerë e janë larguar nga dora jote.
88:6 Ti më ke shtënë në gropën më të thellë, në vënde të errëta, në humnerat.
88:7 Mbi mua ka shpërthyer zemërimi yt, dhe ti më ke marrë me vete megjithë valët tua. (Sela)
88:8 Ti më ke lënë pa miqtë e mi; më ke bërë për ta një objekt të neveritshëm; jam mbyllur dhe nuk mund të dal.
88:9 Syri im venitet nga dhembja; të kërkoj çdo ditë, o Zot, dhe i zgjat drejt teje duart e mia.
88:10 A do të bësh vallë mrekulli për të vdekurit? A do të ringjallen të vdekurit për të të lëvduar? (Sela)
88:11 A do të kremtohet mirësia jote në varr dhe besnikëria jote në vendin e shkatërrimit?
88:12 A do të njihen mrekullitë e tua në terr dhe drejtësia jote mbi tokën e harresës?
88:13 Por unë të këlthas ty, o Zot, dhe lutja ime të drejtohet në mëngjes.
88:14 Pse më refuzon, o Zot, pse më fsheh fytyrën tënde?
88:15 Kam qenë i pikëlluar dhe duke vdekur qysh në rini; kam vuajtur nga tmerret e tua dhe e kam humbur.
88:16 Mbi mua ka kaluar zemërimi yt i zjarrtë; tmerret e tua më kanë asgjesuar,
88:17 më kanë rrethuar si ujërat gjatë gjithë ditës dhe të gjitha së bashku më kanë mbytur.
88:18 Ke larguar nga unë miqtë dhe të njohurit e mi; miku im më i ngushtë është errësira.