BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Kushtet për të hyrë në shenjtore; Mbreti i lavdisë
24:1 Zotit i përket toka dhe të gjitha gjërat që janë mbi të, bota dhe banorët e saj.
24:2 Sepse ai e ka themeluar mbi detet dhe e ka vendosur mbi lumenjtë.
24:3 Kush do t`i ngjitet malit të Zotit? Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
24:4 Njeriu i pafajshëm nga duart dhe i pastër nga zemra, që nuk e ngre shpirtin për t`u dukur dhe nuk betohet në mënyrë të rreme.
24:5 Ai do të marrë bekimet e Zotit dhe drejtësinë nga Perëndia e shpëtimit të tij.
24:6 I tillë është brezi i atyre që e kërkojnë, që kërkojnë fytyrën tënde, o Perëndi i Jakobit. (Sela)
24:7 O ju porta, çoni kokat tuaja; dhe ju, porta të përjetshme, hapuni krejt dhe Mbreti i lavdisë do të hyjë.
24:8 Kush është ky Mbret i lavdisë? Éshtë Zoti i fortë dhe i fuqishëm, Zoti i fortë në betejë.
24:9 O porta, çoni kokat tuaja; hapuni krejt, o porta të përjetshme, dhe Mbreti i lavdisë do të hyjë.
24:10 Kush është ky Mbret i lavdisë? Éshtë Zoti i ushtrive; ai është Mbreti i lavdisë. (Sela)