BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Sioni, qytet i Perëndisë, dhe banorët e tij
87:1 Ai i vuri themelet e tij mbi malet e shenjta.
87:2 Zoti i do portat e Sionit më tepër se të gjitha banesat e Jakobit.
87:3 Gjëra të lavdishme thuhen për ty, o qytet i Perëndisë. (Sela)
87:4 Do të përmend Egjiptin dhe Babiloninë ndër ata që më njohin. Ja Filistia dhe Tiro, së bashku me Etiopinë: “Ky ka lindur atje”.
87:5 Dhe do të thuhet për Sionin: “Ky dhe ai kanë lindur tek ai; dhe vetë Shumë i Larti do ta bëjë të qëndrueshëm”.
87:6 Zoti duke shqyrtuar popujt, do të regjistrojë: “Ky ka lindur atje”. (Sela)
87:7 Dhe këngëtarët dhe ata që u bien veglave do të thonë: “Të gjitha burimet e mia të jetës dhe të gëzimit janë te ti”.
[previous][next]