BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Lavdia e Zotit dhe kotësia e idhujve; nxitja për t’i besuar vetëm Perëndisë
115:1 Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi, për mirësinë tënde dhe për besnikërinë tënde.
115:2 Sepse do të thonë kombet: “Ku është tani Perëndia i tyre?”.
115:3 Por Perëndia ynë është në qiejtë dhe bën tërë atë që i pëlqejnë.
115:4 Idhujt e tyre janë argjend dhe ar, vepër e duarve të njeriut.
115:5 kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,
115:6 kanë veshë por nuk dëgjojnë, kanë hundë por nuk nuhasin,
115:7 kanë duar por nuk prekin, kanë këmbë por nuk ecin; me grykën e tyre nuk nxjerrin asnjë zë.
115:8 Njëlloj si ata janë ata që i bëjnë, tërë ata që u besojnë atyre.
115:9 O Izrael, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.
115:10 O shtëpi e Aaronit, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.
115:11 O ju që keni frikë nga Zoti; kini besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.
115:12 Zoti na kujtoi dhe do të na bekojë; po, ai do të bekojë shtëpinë e Izraelit dhe do të bekojë shtëpinë e Aaronit.
115:13 Ai do të bekojë ata që kanë frikë nga Zoti, të vegjël dhe të mëdhenj.
115:14 Zoti ju bëftë të rriteni, ju dhe bijtë tuaj.
115:15 Qofshin të bekuar nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.
115:16 Qiejtë janë qiejtë e Zotit, por tokën ai ua ka dhënë bijve të njerëzve.
115:17 Nuk janë të vdekurit ata që lëvdojnë të Zotin, as ata që zbresin në vendin e heshtjes.
115:18 Por ne do ta bekojmë Zotin, tani dhe përjetë. Aleluja.