Psalmi 136

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Perëndia lëvdohet për veprat e tij dhe sepse mirësia e tij vazhdon përjetë

136:1 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë dhe mirësia e tij vazhdon përjetë.

136:2 Kremtoni Perëndinë e perëndive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

136:3 Kremtoni Zotin e zotërive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

136:4 atë që vetëm bën mrekulli të mëdha, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

136:5 atë që ka bërë qiejtë me dituri, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

136:6 atë që ka shtrirë tokën mbi ujërat, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

136:7 atë që ka bërë ndriçuesit e mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

136:8 diellin për të sunduar mbi ditën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

136:9 hënën dhe yjet për të sunduar mbi natën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

136:10 Ai që goditi Egjiptasit në parëbirnitë e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

136:11 dhe e nxori Izraelin nga mjedisi i tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

136:12 me dorë të fuqishme dhe krah të shtrirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

136:13 Atë që ndau Detin e Kuq në dy pjesë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

136:14 dhe e bërë Izraelin të kalojë në mes të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

136:15 por fshiu Faraonin dhe ushtrinë e tij në Detin e Kuq, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

136:16 Atë që e çoi popullin e tij nëpër shkretëtirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

136:17 atë që goditi mbretër të mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

136:18 dhe vrau mbretër të fuqishëm, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë;

136:19 Sihonin, mbretin e Amorejve, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

136:20 dhe Ogun, mbretin e Bashanit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

136:21 Dhe u dha atyre si trashëgimi vendin e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

136:22 në trashëgimi Izraelit, shërbëtorit të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

136:23 Ai u kujtua për ne në kushtet tona të këqija, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,

136:24 dhe na çliroi nga armiqtë tanë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

136:25 Ai i jep ushqim çdo krijese, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

136:26 Kremtoni Perëndinë e qiellit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.