Psalmi 76

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Madhështia dhe fuqia e Perëndisë

76:1 Perëndia njihet mirë në Judë, emri i tij është i madh në Izrael.

76:2 Tabernakulli i tij është në Salem dhe ai banon në Sion.

76:3 Këtu ai ka copëtuar shigjetat e zjarrta të harkut, mburojën dhe shpatën e luftës. (Sela)

76:4 Ti dukesh i lavdishëm dhe i fuqishëm mbi malet e presë.

76:5 Trimat i kanë zhveshur, i ka zënë gjumi, dhe asnjë prej atyre trimave nuk ka mundur të përdorë duart e tij.

76:6 Mbas qortimit tënd, o Perëndia i Jakobit, qerret dhe kuajt mbetën të shushatur.

76:7 Nga ti, pikërisht nga ti, duhet të kenë frikë; dhe kush mund të rezistojë para teje kur zemërohesh?

76:8 Ti ke bërë që të dëgjohet nga qielli vendimi yt, tokën e zuri frika dhe heshti,

76:9 kur Perëndia u ngrit për të gjykuar, për të çliruar tërë nevojtarët e tokës. (Sela)

76:10 Edhe zemërimi i njerëzve do të shndrrohet në lavdi për ty, dhe ti do të rrethohesh me vetë mbeturinat e zemërimi të tyre.

76:11 Bëjini zotime Zotit, Perëndisë tuaj, dhe plotësojini; tërë ata që rinë rreth tij t`i çojnë dhurata të Tmerrshmit.

76:12 Ai u heq frymën qeveritarëve, nga ai druhen mbretërit e tokës.