Psalmi 9

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Falenderimi për një çlirim të madh

9:1 Unë do të të kremtoj, o Zot, me gjithë zemër, do të tregoj tërë mrekullitë e tua.

9:2 Unë do të gëzohem dhe do të kënaqem me ty; do t`i këndoj lëvdime në emrin tënd, o Shumë i Larti.

9:3 Sepse armiqtë e mi tërhiqen, bien dhe vdesin para teje.

9:4 Ti në fakt ke përkrahur ndershmërinë time dhe çështjen time; je ulur mbi fronin si një gjyqtar i drejtë.

9:5 Ke qortuar kombet, ke shkatërruar të pabesin, ke fshirë emrat e tyre për gjithnjë.

9:6 Armiku është zhdukur, i kapur nga një pikëllim i përjetshëm! Dhe qyteteve që ti ke shkatërruar i është zhdukur edhe kujtimi.

9:7 Por Zoti mbetet përjetë; ai ka vendosur fronin e tij për të gjykuar.

9:8 Ai do ta gjykojë botën me drejtësi, do t`i gjykojë popujt me paanësi.

9:9 Zoti do të jetë strehim i papushtueshëm për të shtypurin, një strehim i papushtueshëm në kohë ngushtice.

9:10 Dhe ata që e njohin emrin tënd do të kenë besim te ti, sepse ti, o Zot, nuk i braktis ata që të kërkojnë.

9:11 Këndojini lavde Zotit që banon në Sion; u njoftoni popujve veprat e tij.

9:12 Sepse ai që kërkon arësyen e gjakut i mban mënd ata; ai nuk e harron britmën e të pikëlluarve.

9:13 Ki mëshirë për mua, o Zot, ti që më ke rilartuar nga portat e vdekjes, shiko pikëllimin që më shkaktojnë ata që më urrejnë,

9:14 me qëllim që unë të kem mundësi të tregoj të gjitha lavdet e tua dhe në portat e bijës së Sionit të mund të kremtoj për çlirimin tënd.

9:15 Kombet janë zhytur në gropën që kishin hapur; këmba e tyre është kapur në rrjetën që kishin fshehur.

9:16 Zoti u bë i njohur me anë të gjykimit që ka dhënë; i pabesi u kap në lakun e veprës së duarve të tij. (Interlud. Sela)

9:17 Të pabesët do të zbresin në Sheol; po, të gjitha kombet që harrojnë Perëndinë.

9:18 Sepse nevojtari nuk do të harrohet përjetë; shpresa e të shtypurve nuk do të zhduket përjetë.

9:19 Çohu, o Zot, mos lejo që vdekatari të ketë epërsi; kombet të gjykohen para teje.

9:20 O Zot, kallu frikën; bëj që kombet të pranojnë se janë vetëm vdekatarë. (Sela)