Psalmi 74

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Lutje Perëndisë që të kujtohet për besëlidhjen e tij, mbas shkatërrimit të tempullit

74:1 O Perëndi, pse na ke hedhur poshtë për gjithnjë? Pse vlon zemërimi yt kundër kopesë së kullotës sate?

74:2 Kujto popullin tënd, që dikur e more, që ti e shpengove që të ishte fisi i trashëgimisë sate, të këtij mali të Sionit, mbi të cilin ke banuar.

74:3 Drejto hapat e tua në këto rrënoja të pandreqshme; armiku i ka prishur të gjitha në shenjtërore.

74:4 Armiqtë e tu vrumbullojnë në vendin e kuvendeve të tua; kanë vënë aty shenjat e tyre si flamuj.

74:5 Dukej sikur godisnin me sëpata në pjesën e dëndur të një pylli.

74:6 Dhe tani me sqeparë dhe çekane po prishin tërë skulpturat e tij.

74:7 I kanë vënë zjarrin shenjtërores sate; kanë përdhosur banesën që mban emrin tënd, duke e hedhur poshtë.

74:8 Kanë thënë në zemër të tyre: “T`i shkatërrojmë të gjithë”; kanë djegur tërë qendrat e kuvendeve të shenjta në vend.

74:9 Ne nuk i shohim më shenjat tona; nuk ka më profet dhe midis nesh nuk ka asnjë që të dijë deri kur.

74:10 Deri kur, o Perëndi, kundërshtari do të fyejë? Armiku vallë, do ta përçmojë emrin tënd përjetë?

74:11 Pse e tërheq dorën tënde, pikërisht të djathtën? Nxirre nga gjiri yt dhe shkatërroji.

74:12 Por Perëndia është mbreti im qysh prej kohëve të lashta; ai sjell shpëtimin mbi tokë.

74:13 Me forcën tënde ndave detin dhe shtype kokën e përbindëshve të detit në ujërat.

74:14 Copëtove kokat e Levitanëve dhe ia dhe për të ngrënë popullit të shkretëtirës.

74:15 Bëre që të dalin burime dhe përrenj dhe thave lumenj të përhershëm.

74:16 Jotja është dita, jotja është edhe nata; ti ke vendosur dritën dhe diellin.

74:17 Ti ke caktuar tërë kufijtë e tokës dhe ke bërë verën dhe dimrin.

74:18 Mbaje mend këtë, o Zot, që armiku të ka fyer dhe që një popull i pamend ka përbuzur emrin tënd.

74:19 Mos ia braktis bishave jetën e turtulleshës sate; mos harro përjetë jetën e të përvuajturve të tu.

74:20 Respekto besëlidhjen, sepse vendet e errëta të tokës janë plot me strofka dhune.

74:21 Mos lejo që i shtypuri të kthehet i turpëruar; bëj që i përvuajturi dhe nevojtari të lëvdojnë emrin tënd.

74:22 Çohu o Perëndi, mbro kauzën tënde! Mos harro që i pamendi të fyen tërë ditën.

74:23 Mos harro britmën e armiqve të tu; zhurma e tyre që ngrihen kundër teje ngjitet vazhdimisht në qiell.<