BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Lutja mbas disfatës dhe për të siguruar ndihmë
60:1 O Perëndi, ti na ke prapsur, na ke shpërndarë, je zemëruar; tani na rivendos.
60:2 Ti ke bërë që të dridhet toka, e ke çarë; shëro thyerjet e saj, sepse ajo lëkundet.
60:3 Ti e ke ngarkuar popullin tënd me gjëra të rënda; na ke dhënë të pimë verë që të trullos.
60:4 Por tani u ke dhënë atyre që të kanë frikë një flamur, që ta ngrenë në favor të së vërtetës. (Sela)
60:5 Shpëto me dorën tënde të djathtë dhe përgjigjmu, me qëllim që ata që ti i do të çlirohen.
60:6 Perëndia ka folur në shenjtërinë e tij: “Unë do të triumfoj, do të ndaj Sikemin dhe do të mas luginën e Sukothit.
60:7 Imi është Galaadi, imi është Manasi, Efraimi është forca e kokës sime, Juda është ligjëvënësi im;
60:8 Moabi është legeni në të cilin lahem; mbi Edomin do të hedh sandalin tim; mbi Filistejtë do të ngre britma fitoreje”.
60:9 Kush do të më çojë në qytetin e fortë? Kush do të më çojë deri në Edom?
60:10 A nuk do të jesh pikërisht ti, o Perëndi, që na ke prapsur? Nuk do të dalësh më, o Perëndi, me ushtritë tona?
60:11 Na ndihmo kundër armikut, sepse është e kotë ndihma e njeriut.
60:12 Me Perëndinë do të kryejmë trimëri, dhe ai do të shkelë armiqtë tanë.