BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Ftesë për të lëvduar Perëndinë për të gjitha hiret e tij
103:1 Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë.
103:2 Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë.
103:3 Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua,
103:4 shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri;
103:5 ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja.
103:6 Zoti vepron me drejtësi dhe mbron çështjen e të shtypurve.
103:7 Ai i tregon Moisiut rrugët e tij dhe bijve të Izraelit veprat e tij.
103:8 Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.
103:9 Ai nuk grindet përjetë dhe nuk e ruan zemërimin gjithnjë.
103:10 Ai nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona.
103:11 Sepse sa të lartë janë qiejtë mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij.
103:12 Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona.
103:13 Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij.
103:14 Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur.
103:15 Ditët e njeriut janë si bari; ai lulëzon si lulja e fushës;
103:16 në qoftë se era i kalon sipër, ai nuk është më dhe vendi i tij nuk njihet më.
103:17 Por mirësia e Zotit vazhdon nga përjetësia në përjetësi për ata që kanë frikë prej tij, dhe drejtësia e tij për bijtë e bijve,
103:18 për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe mbajnë në mendje urdhërimet e tij për t`i zbatuar në praktikë.
103:19 Zoti e ka vendosur fronin e tij në qiejtë, dhe mbretërimi i tij sundon mbi gjithçka.
103:20 Bekoni Zotin ju, engjëj të tij të pushtetshëm dhe të fortë, që bëni atë që thotë ai, duke iu bindur zërit të fjalës së tij.
103:21 Bekoni Zotin, ju, tërë ushtritë e tij, ju, tërë ministrat e tij, që zbatoni vullnetin e tij.
103:22 Bekoni Zotin, ju, të gjitha veprat e tij, në të tëra vendet e sundimit të tij. Shpirti im, beko Zotin!