Psalmi 105

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Veprat e mëdha që ka kryer Perëndia për Izraelin

105:1 Kremtoni Zotin, lutjuni për ndihmë emrit të tij, bëni të njohura veprat e tij midis popujve.

105:2 Këndojini atij, këndojini lavde atij, mendoni thellë tërë mrekullitë e tij.

105:3 Mburruni me emrin e tij të shenjtë; le të kënaqet zemra e tërë atyre që kërkojnë Zotin.

105:4 Kërkoni Zotin dhe forcën e tij; kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij.

105:5 Mbani mend çuditë që ai ka bërë, mrekullitë dhe gjykimet e gojës së tij,

105:6 ju, o pasardhës së Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhur të tij.

105:7 Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij janë mbi gjithë tokën.

105:8 Ai mban mend përjetë besëlidhjen e tij dhe për një mijë breza fjalën e komanduar prej tij,

105:9 besëlidhjen që lidhi me Abrahamin dhe betimin që i bëri Isakut,

105:10 që i konfirmoi Jakobit si statut të tij dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme,

105:11 duke thënë: “Unë do të të jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj”,

105:12 kur nuk ishin veçse një numër i vogël, shumë të pakët dhe të huaj në vend,

105:13 dhe shkonin nga një komb te tjetri, nga një mbretëri te një popull tjetër.

105:14 Ai nuk lejoi që t`i shtypte njeri; përkundrazi ndëshkoi disa mbretër për hir të tyre,

105:15 dhe tha: “Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos bëni asnjë të keqe profetëve të mi”.

105:16 Pastaj solli zinë e bukës në vend dhe shkatërroi çdo burim ushqimesh.

105:17 Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav.

105:18 I shtrënguan këmbët me pranga dhe u rëndua me zinxhirë hekuri.

105:19 Fjala e Zotit e vuri në provë, deri sa u plotësua ajo që kishte thënë.

105:20 Atëherë mbreti dërgoi ta zgjidhnin, sunduesi i popujve dërgoi ta çlironin,

105:21 dhe e bëri zot të shtëpisë së tij dhe qeveritar mbi të gjitha pasuritë e tij,

105:22 për t`i lidhur princat e tij me gjykimin e tij dhe për t`u mësuar pleqve të tij diturinë.

105:23 Edhe Izraeli erdhi në Egjipt dhe Jakobi qëndroi për ca kohë në vendin e Kamit.

105:24 Dhe Perëndia e shumëzoi shumë popullin e tij dhe e bëri më të fuqishëm se armiqtë e tij.

105:25 Pastaj ndryshoi zemrën e tyre, me qëllim që të urrenin popullin e tij dhe të kurdisnin mashtrime kundër shërbëtorëve të tij.

105:26 Atëherë ai dërgoi Moisiun, shërbëtorin e tij, dhe Aaronin që ai kishte zgjedhur.

105:27 Ata kryen midis tyre mrekullitë e urdhëruara prej tij dhe bënë çudira në tokën e Kamit.

105:28 Dërgoi terrin dhe e bëri vendin të binte në errësirë, dhe ata nuk kundërshtuan fjalën e tij.

105:29 I ndryshoi ujërat e tij në gjak dhe bëri që të ngordhnin peshqit e tij.

105:30 Vendi i tyre u mbush me bretkosa të cilat hynë deri në dhomat e mbretërve të tyre.

105:31 Me fjalën e tij erdhën një shumicë e madhe insektesh dhe mushkonjash në të gjithë territorin e tyre.

105:32 U dërgoi breshër në vend të shiut dhe flakë zjarri në vendin e tyre;

105:33 goditi edhe vreshtat e tyre dhe drurët e fikut, shkatërroi drurët e territorit të tyre.

105:34 Ai foli, dhe erdhën karkaleca dhe vemje në numër të madh,

105:35 që përpinë tërë bimësinë e vendit të tyre dhe hëngrën frytin e tokës së tyre.

105:36 Ai goditi edhe të gjithë të parëlindurit në vendin e tyre, prodhimet e para në tërë fuqinë e tyre;

105:37 dhe e nxori popullin e tij me argjend dhe me ar, dhe nuk pati asnjeri ndër fiset e tij që të tronditej.

105:38 Egjiptasit u gëzuan nga ikja e tyre, sepse tmerri i Izraelit kishte rënë mbi ta.

105:39 Ai shpalosi një re për t`i mbuluar dhe ndezi një zjarr për t`i ndriçuar natën.

105:40 Me kërkesën e tyre ai solli shkurtat dhe i ngopi me bukën e qiellit.

105:41 Çau shkëmbin dhe dolën prej tij ujëra; këto rridhnin në shketëtirë si një lumë.

105:42 Sepse atij iu kujtua premtimi i shenjtë që i kishte bërë Abrahamit, shërbëtorit të tij;

105:43 pastaj nxori popullin e tij me gëzim dhe njerëzit e tij të zgjedhur me britma gëzimi,

105:44 dhe u dha atyre vendet e kombeve, dhe ata trashëguan frytin e mundit të popujve,

105:45 me qëllim që të respektonin statutet e tij dhe t`u bindeshin ligjeve të tij. Aleluja.

[previous][next]