Psalmi 107

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Perëndia çliron ata që e thërrasin për çdo lloj fatkeqësie

107:1 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

107:2 Kështu thonë të shpenguarit prej Zotit që ai i ka çliruar nga dora e kundërshtarit,

107:3 <add> dhe që ka mbledhur nga vende të ndryshme, nga lindja dhe perëndimi, nga veriu dhe nga jugu.

107:4 Ata endeshin nëpër shkretëtirë, në vënde të shkretuara, dhe nuk gjenin asnjë qytet ku të banonin.

107:5 Të uritur e të etur, jeta e tyre po ligështohej.

107:6 Por në fatkeqësitë e tyre ata i thirrën Zotit dhe ai i çliroi nga ankthet e tyre;

107:7 dhe i çoi në rrugën e drejtë, me qëllim që të arrinin në një qytet ku të banonin.

107:8 Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve.

107:9 Sepse ai ka ngopur shpirtin e etur dhe e ka mbushur me të mira shpirtin e uritur.

107:10 Të tjerë rrinin në terr dhe në hijen e vdekjes, robër të pikëlluar dhe në zinxhira,

107:11 sepse ishin rebeluar kundër fjalëve të Perëndisë dhe i kishin përçmuar këshillat e Shumë të Lartit;

107:12 prandaj ai rrëzoi zemrën e tyre me shqetësime; ata ranë poshtë dhe asnjeri nuk u vajti në ndihmë.

107:13 Por në fatkeqësinë e tyre ata i thirrën Zotit, dhe ai i shpëtoi nga ankthet e tyre,

107:14 i nxori nga terri dhe nga hija e vdekjes dhe i këputi lidhjet e tyre.

107:15 Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve,

107:16 sepse ai ka shembur portat prej bronzi dhe ka këputur shufrat prej hekuri.

107:17 Disa njerëz pa mend vuanin për sjelljen e tyre rebele dhe për mëkatet e tyre;

107:18 ata urrenin çdo ushqim dhe kishin arritur në prag të vdekjes,

107:19 por në fatkeqësinë e tyre i thirrën Zotit, dhe ai i shpëtoi nga ankthet e tyre.

107:20 Ai dërgoi fjalën e tij dhe i shëroi, i shpëtoi nga gropa.

107:21 Le ta kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve;

107:22 le të ofrojnë flijime lëvdimi dhe le të tregojnë veprat e tij me këngë gëzimi.

107:23 Ata që zbresin në det me anije dhe që bëjnë tregëti mbi ujërat e mëdha,

107:24 shohin veprat e Zotit dhe mrekullitë e tij në humnerat e detit.

107:25 Sepse ai urdhëron dhe shkakton një erë furtune, që i ngre përpjetë valët e detit.

107:26 Ata ngjiten deri në qiell dhe bien në humnera; shpirti i tyre ligështohet nga ankthi.

107:27 Atyre u merren këmbët dhe lëkunden si të dehur, dhe nuk dinë më ç`të bëjnë.

107:28 Por në fatkeqësitë e tyre i këlthasin Zotit, dhe ai i shpëton nga ankthet e tyre.

107:29 Ai e fashit furtunën në një murmurim dhe valët e saj pushojnë.

107:30 Kur ato qetësohen, ata gëzohen, dhe ai i çon në portin e dëshiruar prej tyre.

107:31 Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë që bën në dobi të bijve të njerëzve;

107:32 le ta lëvdojnë në kuvendin e popullit dhe le ta lavdojnë në këshillin e pleqve.

107:33 Ai i shndërroni lumenjtë në shkretëtirë dhe burimet e ujit në vende të thata;

107:34 tokën pjellore në vend të thatë për shkak të sjelljes së keqe të banorëve të saj.

107:35 Ai e shndërron shkretëtirën në liqen dhe tokën e thatë në burime uji.

107:36 Atje ai strehon të uriturit, dhe këta ndërtojnë një qytet për të banuar,

107:37 mbjellin arat dhe kultivojnë vreshta që prodhojnë një korrje të bollshme.

107:38 Ai i bekon dhe ata shumëzohen fort, dhe ai nuk e pakëson bagëtinë e tyre.

107:39 Por pastaj pakësohen në një numër të vogël dhe dobësohen për shkak të shtypjes, të fatkeqësisë dhe të ankthit.

107:40 Ai hedh përbuzjen mbi princat dhe i bën që të enden nëpër vende të shkreta, ku nuk ekziston asnjë rrugë.

107:41 Por e ngre nevojtarin nga varfëria dhe i shton familjet e tyre si një kope.

107:42 Njerëzit e drejtë e shohin këtë dhe kënaqen, por tërë njerëzit e këqij e mbajnë gojën të mbyllur.

107:43 Ai që është i urtë le t`i këqyrë këto gjëra dhe le të çmojë mirësinë e Zotit.

[previous][next]