Psalmi 109

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Lutje Perëndisë që të hakmerret mbi të pabesët

109:1 O Perëndi i lëvdimit tim, mos hesht,

109:2 sepse njerëz të pabesë dhe të pandershëm kanë hapur gojën e tyre kundër meje dhe kanë folur kundër meje me një gjuhë gënjeshtare;

109:3 më kanë sulmuar me fjalë urrejtjeje dhe më kanë luftuar pa shkak.

109:4 Në këmbim të dashurisë sime më akuzojnë, por unë i drejtohem lutjes.

109:5 Ata më kanë larë të mirën me të keqen dhe dashurinë time me urrejtje.

109:6 Vendos një njeri të keq mbi të dhe një akuzues le të jetë në të djathtë të tij.

109:7 Kur të gjykohet, bëj që të gjendet fajtor dhe lutja e tij të bëhet mëkat.

109:8 Qofshin të pakta ditët e tij dhe një tjetër zëntë vendin e tij.

109:9 Bijtë e tij mbetshin jetimë dhe gruaja e tij e ve.

109:10 U bëfshin endacakë dhe lypsarë bijtë e tij dhe e kërkofshin ushqimin larg shtëpive të tyre të rrënuara.

109:11 Fajdexhiu i marrtë të gjitha pasuritë e tij dhe të huajtë i vjedhshin frytin e mundit të tij.

109:12 Askush mos pastë mëshirë për të dhe askujt mos i ardhtë keq për jetimët e tij.

109:13 U shkatërrofshin pasardhësit e tij; në brezin e dytë emri i tyre u shoftë.

109:14 U kujtoftë para Zotit paudhësia e etërve të tij dhe mëkati i nënës së tij mos u shoftë.

109:15 U dalshin gjithnjë mëkatet e tyre para Zotit, me qëllim që ai të zhdukë nga toka kujtimin e tyre.

109:16 Sepse atij nuk i shkoi ndër mend të kishte dhemshuri, por e ka përndjekur të varfërin, nevojtarin dhe atë që ishte zemërthyer deri sa t`u shkaktonte vdekjen.

109:17 Mbasi e ka dashur mallkimin, rëntë ai mbi të; dhe mbasi nuk është kënaqur me bekimin, ky u largoftë prej tij.

109:18 Mbasi u mbulua me mallkim si me një rrobe, i hyftë ai si ujë në trupin e tij dhe si vaj në kockat e tij;

109:19 Qoftë për të si një rrobe që e mbulon dhe si një brez që e lidh përjetë.

109:20 Qoftë ky nga ana e Zotit shpërblimi për kundërshtarët e mi dhe për ata që flasin keq kundër meje.

109:21 Por ti, o Zot, o Zot, vepro në favorin tim për hir të emrit tënd, çliromë me dhemshurinë dhe mirësinë tënde,

109:22 sepse unë jam i varfër dhe nevojtar, dhe zemra ime është plagosur brenda meje.

109:23 Unë iki si një hije që zgjatet, jam i tronditur si një karkalec.

109:24 Gjunjët e mi dridhen nga të pangrënët dhe trupi im është dobësuar për mungesë të dhjamit.

109:25 Jam bërë një faqezi për ta; kur më shohin, tundin kokën.

109:26 Ndihmomë, o Zot, Perëndia im, shpëtomë për dhemshurinë tënde,

109:27 dhe ta dinë që kjo është vepër e duarve të tua, dhe që ti, o Zot, e ke bërë.

109:28 Ata do të mallkojnë, por ti do të bekosh; kur të ngrihen, do të mbeten të hutuar, por shërbëtori yt do të gëzohet.

109:29 U mbulofshin me turp kundërshtarët e mi dhe u mbështjellshin me turp si me mantel,

109:30 Unë do të kremtoj me të madhe Zotin me gojën time dhe do ta lëvdoj në mes të një turme të madhe,

109:31 sepse ai rri në të djathtë të të varfërit për ta shpëtuar nga ata që e dënojnë me vdekje.

[previous][next]