Psalmi 111

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Perëndia lëvdohet për veprat e tij të mrekullueshme

111:1 Aleluja. Unë do të kremtoj Zotin me gjithë zemër në këshillën e të drejtëve dhe në kuvend.

111:2 Të mëdha janë veprat e Zotit, të kërkuara nga të gjithë ata që kënaqen me to.

111:3 Veprat e tij janë madhështore dhe drejtësia e tij vazhdon përjetë.

111:4 Ai bën që mrekullitë e tij të kujtohen; Zoti është i dhemshur dhe plot mëshirë.

111:5 Ai u jep ushqime atyre që kanë frikë prej tij dhe do ta mbajë mend gjithnjë besëlidhjen e tij.

111:6 Ai i tregoi popullit të tij fuqinë e veprave të tij, duke i dhënë trashëgiminë e kombeve.

111:7 Veprat e duarve të tij janë e vërteta dhe drejtësia; tërë urdhërimet e tij janë të qëndrueshme,

111:8 të patundura përjetë, për gjithnjë, të kryera me vërtetësi dhe drejtësi.

111:9 Ai i dërgoi popullit të tij shpëtimin, ka vendosur besëlidhjen e tij përjetë; i shenjtë dhe i tmerrshëm është emri i tij.

111:10 Frika e Zotit është zanafilla e diturisë; kanë dituri të madhe ata që zbatojnë në praktikë urdhërimet e tij; lëvdimi i tij vazhdon në përjetësi.

[previous][next]