BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Himn lëvdimi dhe falenderimi Zotit për dhemshurinë e tij dhe për çlirimin
118:1 Kremtojeni Zotin sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
118:2 Po, Izraeli le të thotë tani: “Dhemshuria e tij vazhdon përjetë”.
118:3 Po, tani shtëpia e Aaronit le të thotë: “Dhemshuria e tij vazhdon përjetë”.
118:4 Po, le të thonë tani ata që kanë frikë nga Zoti: “Dhemshuria e tij vazhdon përjetë”.
118:5 Në ankth kërkova Zotin, dhe Zoti m`u përgjigj dhe më çoi larg.
118:6 Zoti është për mua; unë nuk do të kem fare frikë; çfarë mund të më bëjë njeriu?
118:7 Zoti është për mua nga ata që më ndihmojnë, dhe unë do t`i shikoj triumfues armiqtë e mi.
118:8 Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t`i kesh besim njeriut.
118:9 Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t`u kesh besim princave.
118:10 Tërë kombet më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t`i zhduk ato.
118:11 Më kishin rrethuar, po, më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t`i shkatërroj.
118:12 Më kishin rrethuar si bleta, por u shuan si zjarr ferrishtash; në emër të Zotit unë do t`i shkatërroj.
118:13 Ti më kishe shtyrë me dhunë për të më rrëzuar, por Zoti më ndihmoi.
118:14 Zoti është forca ime dhe kënga ime, ai ka qenë shpëtimi im.
118:15 Një britmë gëzimi dhe fitoreje jehon në çadrat e të drejtëve; dora e djathtë e Zotit bën çudi.
118:16 E djathta e Zotit u ngrit; e djathta e Zotit bën çudi.
118:17 Unë nuk do të vdes, por do të jetoj dhe do të tregoj veprat e Zotit.
118:18 Zoti më ka ndëshkuar rëndë, por nuk më ka lënë në dorë të vdekjes.
118:19 Më hapni portat e drejtësisë; unë do të hyj dhe do të kremtoj Zotin.
118:20 Kjo është porta e Zotit, të drejtët do të kalojnë nëpër të.
118:21 Unë do të të kremtoj, sepse më je përgjigjur dhe ke qenë shpëtimi im.
118:22 Guri, që ndërtuesit kishin hedhur, u bë guri i qoshes.
118:23 Kjo është vepër e Zotit, dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tona.
118:24 Kjo është dita që Zoti ka bërë; le të gëzohemi dhe të ngazëllojmë në të.
118:25 O Zot, na ndihmo tani; o Zot, bëj që tani të kemi mbarësi.
118:26 I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit; ne ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
118:27 Zoti është Perëndia dhe ka bërë që mbi ne të shkëlqejë drita e tij; lidheni viktimën e flijimit në brirët e altarit.
118:28 Ti je Perëndia im, unë do të të kremtoj; ti je Perëndia im, unë do të të përlëvdoj.
118:29 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.