Psalmi 145

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Himn lëvdimi drejtuar Perëndisë për veprat e tij të mëdha

145:1 Unë do të të përlëvdoj, o Perëndia im dhe Mbreti im, dhe do të bekoj emrin tënd përjetë.

145:2 Do të të bekoj çdo ditë dhe do të lëvdoj emrin tënd përjetë.

145:3 Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë dhe madhështia e tij është e panjohshme.

145:4 Një brez do t`i shpallë lëvdimet e veprave të tua tjetrit dhe do t`i njoftojë mrekullitë e tua.

145:5 Do të mendohem thellë mbi shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë sate dhe mbi veprat e tua të mrekullueshme.

145:6 Këto do të flasin për fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, dhe unë do të tregoj madhështinë tënde.

145:7 Ata do të shpallin kujtimin e mirësisë sate të madhe dhe do të këndojnë me gëzim drejtësinë tënde.

145:8 Zoti është i dhemshur dhe mëshirplot, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.

145:9 Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij.

145:10 Tërë veprat e tua do të të kremtojnë, o Zot, dhe shenjtorët e tu do të të bekojnë.

145:11 Ata do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate dhe do të tregojnë për fuqinë tënde,

145:12 për t`u bërë të njohura bijve të njerëzve mrekullitë e tua dhe shkëlqimin e madhërishëm të mbretërisë sate.

145:13 Mbretëria jote është një mbretëri përjet dhe sundimi yt vazhdon brez pas brezi.

145:14 Zoti përkrah tërë ata që rrëzohen dhe ngre përsëri në këmbë tërë ata që janë rrëzuar.

145:15 Sytë e të gjithëve shikojnë drejt teje duke pritur, dhe ti u jep atyre ushqimin në kohën e duhur.

145:16 Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo qënieje të gjallë.

145:17 Zoti është i drejtë në të gjitha rrugët e tij dhe dashamirës në të gjitha veprat e tij.

145:18 Zoti është pranë gjithë atyre që kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë.

145:19 Ai kënaq dëshirën e atyre që kanë frikë prej tij, dëgjon britmën dhe i shpëton.

145:20 Zoti mbron të gjithë ata që e duan dhe do të shkatërrojë të gjithë të pabesët.

145:21 Goja ime do të tregojë lëvdimin e Zotit, dhe çdo qënie do të bekojë emrin e tij të shenjtë përjetë.

[previous][next]