BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Ftesë për t’i pasur besim Perëndisë
146:1 Aleluja. Shpirti im, lëvdo Zotin.
146:2 Unë do ta lëvdoj Zotn deri sa të kem jetë, do të këndoj lavde për Perëndinë tim gjatë gjithë jetës sime.
146:3 Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë.
146:4 Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.
146:5 Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij,
146:6 që ka krijuar qiejtë dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, që ruan besnikërinë përjetë,
146:7 që u jep të drejtë të shtypurve dhe ushqim të uriturve. Zoti çliron të burgosurit.
146:8 Zoti u hap sytë të verbërve, Zoti ngre ata që janë rrëzuar, Zoti i do të drejtët.
146:9 Zoti mbron të huajt, ndihmon jetimin dhe gruan e ve, por përmbys udhën e të pabesëve.
146:10 Zoti mbretëron përjetë, Perëndia yt, o Sion, brez pas brezi. Aleluja.