Psalmi 147

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Himn lëvdimi Zotit për restaurimin dhe begatinë e Izraelit

147:1 Lëvdoni Zotin, sepse është një gjë e mirë t`i këndosh lavde Perëndisë tonë, sepse është e kënaqshme dhe e leverdishme ta lëvdosh.

147:2 Zoti ndërton Jeruzalemin, dhe mbledh të humburit e Izraelit.

147:3 Ai shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe lidh plagët e tyre.

147:4 Llogarit numrin e yjeve dhe i thërret të gjitha sipas emrit të tyre.

147:5 I madh është Zoti ynë, e pamasë është fuqia e tij dhe e pafund zgjuarësia e tij.

147:6 Zoti larton njerëzit e përulur, por ul deri në tokë njerëzit e këqij.

147:7 Këndojini Zotit me falenderim, këndojini me qeste lavde Perëndisë tonë,

147:8 që mbulon qiellin me re, përgatit shiun për tokën dhe bën që të rritet bari në malet.

147:9 Ai i jep ushqime bagëtisë dhe zogjve të korbeve që thërresin.

147:10 Ai nuk kënaqet në forcën e kalit, dhe nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e njeriut.

147:11 Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej tij, me ata që shpresojnë në mirësinë e tij.

147:12 Lëvdo Zotin, o Jeruzalem, kremto Perëndinë tënd, o Sion.

147:13 Sepse ai ka përforcuar shufrat e portave të tua dhe ka bekuar bijtë e tu në mes teje.

147:14 Ai e ruan paqen brenda kufijve të tu dhe të ngop me grurin më të mirë.

147:15 Dërgon mbi tokë urdhërin e tij, fjala e tij merr dheun.

147:16 Dërgon borën si lesh dhe përhap brymën si hi.

147:17 Hedh breshërin e tij si me copa; kush mund t`i bëjë ballë të ftohtit të tij?

147:18 Dërgon fjalën e tij dhe i shkrin ato; bën që të fryjë era e tij, dhe ujërat rrjedhin.

147:19 Ai ia ka bërë të njohur Jakobit fjalën e tij, dhe Izraelit statutet e tij dhe dekretet e tij.

147:20 Ai nuk e ka bërë këtë me asnjë komb tjetër; dhe ato nuk i njohin dekretet e tij. Aleluja.

[previous][next]