Psalmi 148

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Ftesë mbarë gjithësisë për të lëvduar Perëndinë

148:1 Aleluja. Lëvdoni Zotin nga qiejtë, lëvdojeni në vendet shumë të larta.

148:2 Lëvdojeni, ju të gjithë engjëjt e tij, lëvdojeni ju mbarë ushtritë e tij.

148:3 Lëvdojeni, o diell dhe hënë, lëvdojeni, ju mbarë yje të ndritshme.

148:4 Lëvdojeni, ju qiej të qiejve, dhe ju ujëra përmbi qiejtë.

148:5 Tërë këto gjëra le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse ai dha urdhër dhe ato u krijuan.

148:6 Ai i ka vendosur përjetë, në përjetësi; por ka bërë një statut që nuk do të kalojë kurrë.

148:7 Lëvdojeni Zotin nga toka, ju përbindësh të detit dhe mbarë oqeane,

148:8 zjarr dhe breshër, borë dhe re, ajër i shtrëngatës që zbaton urdhërat e tij,

148:9 mbarë male dhe kodra, mbarë dru frutorë dhe kedra;

148:10 ju mbarë kafshë të egra dhe shtëpiake, rrëshqanorë dhe zogj me krahë;

148:11 ju mbretër të dheut dhe mbarë popuj, princa dhe gjyqtarë të tokës;

148:12 të rinj dhe vajza, pleq dhe fëmijë.

148:13 Le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse vetëm emri i tij përlëvdohet. Lavdia e tij qëndron përmbi tokën dhe qiejtë.

148:14 Ai e ka rritur forcën e popullit të tij, një arsye kjo lëvdimi për të gjithë shenjtorët e tij, për bijtë e Izraelit, një popull i afërt për të. Aleluja.

[previous][next]