Pslami 29

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Ftesë për të lëvduar madhështinë e Perëndisë

29:1 I jepni Zotit, o bij të të fuqishmëve, i jepni Zotit lavdi dhe forcë.

29:2 I jepni Zotit lavdinë që i përket emrit të tij; adhuroni Zotin në shkëlqimin e shenjtërisë së tij.

29:3 Zëri i Zotit është mbi ujërat; Perëndia i lavdisë gjëmon; Zoti është mbi ujërat e mëdha.

29:4 Zëri i Zotit është i fuqishëm, zëri i Zotit është i madhërishëm.

29:5 Zëri i Zotit thyen kedrat; po, Zoti thyen kedrat e Libanit;

29:6 i bën të hidhen si një viç, Libanin dhe Sirionin, si një buall i ri.

29:7 Zëri i Zotit çan flakët e zjarrit.

29:8 Zëri i Zotit e bën shkretëtirën të dridhet; Zoti bën që të dridhet shkretëtira e Kadeshit.

29:9 Zëri i Zotit bën që të lindin sutat dhe i lë pyjet pa gjethe; dhe në tempullin e tij çdo gjë thotë: “Lavdi!”.

29:10 Zoti rrinte ulur në fron përmbi përmbytjen; po, Zoti rri ulur si mbret në përjetësi.

29:11 Zoti do t`i japë forcë popullit të tij; Zoti do të bekojë popullin e tij me paqe.

[previous][next]