Pslami 34

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Kantik lëvdimi për Zotin për çlirimin e arritur

34:1 Unë do ta bekoj Zotin në çdo kohë; lëvdimi i tij do të jetë gjithnjë në gojën time.

34:2 Shpirti im do të krenohet me Zotin; njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen.

34:3 Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij.

34:4 Unë e kërkova Zotin, dhe ai m`u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia.

34:5 Ata e shikuan atë dhe u ndriçuan, dhe fytyrat e tyre nuk u turpëruan.

34:6 Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij.

34:7 Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij dhe i çliron.

34:8 Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti; lum ai njeri që gjen strehë tek ai.

34:9 Kini frikë nga Zoti, ju shenjtorë të tij, sepse asgjë nuk u mungon atyre që kanë frikë prej tij.

34:10 Luanët e vegjël vuajnë nga mungesa e madhe dhe nga uria, por atyre që kërkojnë Zotin nuk u mungon asgjë.

34:11 Ejani, o bij, dëgjomëni; unë do t`ju mësoj frikën e Zotit.

34:12 Cili është ai njeri që dëshiron jetën dhe do ditë të gjata për të parë të mirën?

34:13 Mbaje gjuhën tënde larg së keqes dhe buzët e tua të mos thonë gënjeshtra.

34:14 Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, kërko paqen dhe siguroje.

34:15 Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë të vëmendshëm të kapin britmën e tyre.

34:16 Fytyra e Zotit është kundër atyre që sillen keq, për të çrrënjosur kujtimin e tyre nga faqja e dheut.

34:17 Të drejtët bërtasin dhe Zoti i dëgjon dhe i çliron nga të gjitha fatkeqësitë e tyre.

34:18 Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërmuar.

34:19 Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha.

34:20 Ai i ruan tërë kockat e tij, dhe asnjë prej tyre nuk copëtohet.

34:21 Ligësia do të vrasë të keqin, dhe ata që urrejnë të drejtin do të shkatërrohen.

34:22 Zoti shpengon jetën e shërbëtorëve të tij, dhe asnjë nga ata që gjejnë strehë te ai nuk do të shkatërrohet.

[previous][next]