Psalmi 38

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Lutja e një mëkatari që vuan

38:1 O Zot, mos më shaj në indinjatën tënde dhe mos më dëno në zemërimin tënd.

38:2 Sepse shigjtat e tua më kanë shpuar dhe dora jote më shtyp.

38:3 Nuk ka asgjë të shëndoshë në mishin tim për shkak të zemërimit tënd; nuk ka qetësi në kockat e mia për shkak të mëkatit tim.

38:4 Paudhësitë e mia e kalojnë në fakt kohën time, janë si një barrë e madhe, shumë e rëndë për mua.

38:5 Plagët e mia janë të fëlliqura dhe të qelbëzuara nga marrëzia ime.

38:6 Jam krejt i kërrusur dhe i dëshpëruar; sillem tërë ditën rreth e qark duke mbajtur zi,

38:7 sepse ijet e mia janë të pezmatuara dhe nuk ka asgjë të shëndoshë në mishin tim.

38:8 Jam i sfilitur dhe i vrarë; vrumbulloj nga drithma e zemrës sime.

38:9 O Zot, çdo dëshirë që kam është para teje dhe psherëtimat e mia nuk të janë fshehur.

38:10 Zemra ime rreh, fuqia po më lë; vetë drita e syve të mi ka ikur.

38:11 Miqtë e mi dhe shokët e mi rrinë larg plagës sime, dhe fqinjët e mi ndalojnë larg meje.

38:12 Ata që kërkojnë jetën time më ngrejnë kurthe dhe ata që duan të më bëjnë të keqen flasin për shkatërrimin dhe mendojnë mashtrime tërë ditën.

38:13 Por unë jam si një i shurdhër që nuk dëgjon dhe një memec që nuk e hap gojën.

38:14 Po, jam si një njeri që nuk dëgjon dhe që nuk mund të përgjigjet me gojën e tij.

38:15 Sepse shpresoj te ti, o Zot, ti do të përgjigjesh, o Zot, Perëndia im.

38:16 Sepse kam thënë: “U gëzofshin me mua, dhe kur këmba ime pengohet, mos u çofshin kundër meje”.

38:17 Ndërsa jam duke rënë dhe dhembja ime është vazhdimisht para meje,

38:18 ndërsa rrëfej mëkatin tim dhe jam tepër i shqetësuar për mëkatin,

38:19 armiqtë e mi janë tërë gjallëri dhe janë të fortë, dhe ata që më urrejnë pa shkak shumohen.

38:20 Edhe ata që ma shpërblejnë të mirën me të keqen më përndjekin, sepse unë ndjek rrugën e së mirës.

38:21 O Zot, mos më braktis; Perëndia im, mos u largo nga unë.

38:22 Nxito të më ndihmosh, o Zot, o shpëtimi im.

[previous][next]