BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Rrëfimi i mëkatit dhe kërkesa e faljes
51:1 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembushurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë.
51:2 Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im,
51:3 Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara.
51:4 Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon.
51:5 Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat.
51:6 Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës.
51:7 Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora.
51:8 Bëj që të ndjej gëzim dhe ngazëllim; bëj që kockat që ke thyer të kremtojnë edhe ato.
51:9 Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia.
51:10 O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.
51:11 Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë.
51:12 Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkahmë me frymë dashamirës.
51:13 Atëherë do t`u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje.
51:14 Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde.
51:15 O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd.
51:16 Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as olokausti.
51:17 Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.
51:18 Bëj të mirën Sionit për dashamirësinë tënde, ndërto muret e Jeruzalemit.
51:19 Atëherë do të gëzohesh në flijimet e drejtësisë, në olokaustet dhe në ofertat që digjen tërësisht; atëherë do të ofrohen dema të rinj mbi altarin tënd.