Psalmi 64

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Kërkesë çlirimi nga armiq të fshehtë

64:1 Dëgjo zërin tim, o Perëndi, në vajtimin që të drejtoj ty; ruaje jetën time nga tmerri i armikut.

64:2 Më fshih nga dredhitë e njerëzve të këqij dhe nga turma zhurmëmadhe e atyre që kryejnë paudhësi.

64:3 Këta e mprehin gjuhën e tyre si një shpatë, dhe në vend të shigjetave lëshojnë fjalë të hidhura

64:4 për të goditur fshehurazi të pafajmin; e godasin papritur pa asnjë frikë.

64:5 I japin zemër njeri tjetrit në veprime të liga; flasin si të na vënë kurthe dhe thonë: “Kush ka për t`i parë?”.

64:6 Kurdisin gjëra të këqija dhe thonë: “Kemi përgatitur një plan të përsosur”. Mendimet e fshehura dhe zemra e njeriut janë të panjohëshme.

64:7 Por Perëndia do të hedhë kundër tyre shigjetat e tij dhe ata do të rrëzohen papritur.

64:8 Ata do të bien dhe e keqja që kanë bërë gjuhët e tyre do të bjerë mbi ta; kushdo që ka për t`i parë do të tundë kokën.

64:9 Atëherë tërë njerëzit do të kenë frikë dhe do të tregojnë veprën e Perëndisë, dhe do të njohin atë që ai ka bërë.

64:10 I drejti do të gëzohet tek Zoti dhe do të kërkojë strehë tek ai, dhe të gjihë të drejtët nga zemra do të përlëvdohen.

[previous][next]