BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Vuajtjet e mëdha të Davidit që paraqesin atë të Mesias
69:1 Shpëtomë, o Perëndi, se ujërat më kanë arritur deri në grykë.
69:2 Jam zhytur në një batak të thellë dhe nuk gjej asnjë pikë mbështetjeje; kam arritur në ujëra të thella dhe rryma më rrëmben me vete.
69:3 Jam lodhur duke bërtitur, gryka më është tharë; sytë e mi konsumohen në pritje të Perëndisë tim.
69:4 Ata që më urrejnë pa shkak janë më të shumtë se flokët e mi; janë të fuqishëm ata që duan të më shkatërrojnë dhe që janë pa të drejtë armiq të mi; jam i detyruar të kthej atë që nuk kam vjedhur.
69:5 O Perëndi, ti e di marrëzinë time dhe fajet e mia nuk të janë fshehur.
69:6 Mos u ngatërrofshin për shkakun tim ata që kanë shpresë te ti, o Zot, Zoti i ushtrive; mos u turpërofshin për shkakun tim ata që të kërkojnë, o Perëndi i Izraelit.
69:7 Për hir të dashurisë sate unë po heq një poshtërim dhe turpi më mbulon fytyrën.
69:8 Unë jam i bërë një i huaj për vëllezërit e mi dhe për bijtë e nënes sime.
69:9 Sepse zelli i shtëpisë sate më ka përpirë dhe fyerjet e rënda të atij që të fyen kanë rënë mbi mua.
69:10 Kam qarë duke pikëlluar shpirtin tim me agjërim, por kjo më ka sjellë çnderim.
69:11 Kam veshur madje si rroba një thes, por u bëra për ta objekt talljeje.
69:12 Ata që ulen te porta flasin për mua, dhe u bëra kënga e pijanecëve.
69:13 Por sa për mua, o Zot, lutja ime të drejtohet ty, o Zot, në kohë të pranueshme; në dhembshurinë tënde të madhe përgjigjmu, o Perëndi, në shpëtimin tënd të siguruar.
69:14 Më nxirr nga bataku që të mos fundosem në të, dhe bëj që të çlirohem nga ata që më urrejnë dhe nga ujërat e thella.
69:15 Mos më mbuloftë rryma e ujërave, mos më përpiftë humnera dhe mos u mbylltë gryka e pusit mbi mua.
69:16 Përgjigjmu, o Zot, sepse mirësia jote është e çmuar; në dhembshuritë e tua të mëdha sillu nga unë.
69:17 Mos e fshih fytyrën tënde nga shërbëtori yt, sepse jam në ankth; nxito të më përgjigjesh.
69:18 Afrohu te unë dhe më shpjego; çliromë nga armiqtë e mi.
69:19 Ti e njeh poshtërsinë time, turpin tim dhe çnderimin tim; armiqtë e mi janë të gjithë para teje.
69:20 Fyerja e rëndë më ka copëtuar zemrën dhe jam plot hidhërime; prita dikë që të më përdëllentë por më kot; prita dikë që të më ngushëllonte, por nuk u paraqit asnjë.
69:21 Më dhanë përkundrazi vrer në vend të ushqimit dhe për të ma shuar etjen më dhanë për të pirë uthull.
69:22 U bëftë tryeza e tyre një lak para tyre, dhe begatia e tyre një kurth.
69:23 Ju errshin sytë atyre kështu që të mos shohin më, dhe bëj që ijët e tyre të lëkunden vazhdimisht.
69:24 Zbraz mbi ta zemërimin tënd dhe i zëntë zjarri i indinjatës sate.
69:25 Banesa e tyre u shkretoftë dhe askush mos banoftë në çadrat e tyre,
69:26 sepse përndjekin atë që ti ke goditur dhe flasin me kënaqësi për dhembjen e atyre që ti ke plagosur.
69:27 Shto këtë faj fajit të tyre dhe mos arrifshin kurrë të kenë pjesë në drejtësinë tënde.
69:28 U shofshin nga libri i jetës dhe mos u shkrofshin midis të drejtëve.
69:29 Tani jam i hidhëruar dhe i dëshpëruar; shpëtimi yt, o Perëndi, më lartoftë.
69:30 Unë do ta kremtoj emrin e Perëndisë me një këngë, dhe do ta madhështoj me lavde.
69:31 Dhe kjo do t`i pëlqejë Zotit më tepër se një ka o një dem me brirë dhe thonj.
69:32 Njerëzit e përulur do të shohin dhe do të gëzohen; dhe për ju që kërkoni Perëndinë, u përtëriftë zemra juaj.
69:33 Sepse Zoti kënaq nevojtarët dhe nuk përçmon robërit e tij.
69:34 E mburrshin qiejtë dhe toka, detet dhe gjithçka lëviz në to.
69:35 Sepse Perëndia do të shpëtojë Sionin dhe do të rindërtojë qytetet e Judës; atëherë ata do të banojnë në to dhe do t`i zotërojnë.
69:36 Dhe pasardhësit e shërbëtorëve të tij do të kenë trashëgiminë dhe ata që e duan emrin e tij do të banojnë aty.