BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Kërkesë çlirimi dhe mbrojtjeje
71:1 Unë po gjej strehë te ti, o Zot, bëj që të mos hutohem kurrë.
71:2 Në emër të drejtësisë sate, më çliro dhe më shpëto; zgjate veshin tënd ndaj meje dhe më shpëto.
71:3 Ti je për mua një kështjellë shpëtimi, ku unë mund të shkoj gjithnjë; ti ke urdhëruar shpëtimin tim, sepse je shkëmbi dhe kështjella ime.
71:4 Perëndia im, më çliro nga dora e të pabesit, nga dora e të çoroditurit dhe të atij që përdor dhunën.
71:5 Sepse ti je shpresa ime, o Zot, o Zot, besimi im që kurse isha fëmijë.
71:6 Ti ke qenë përkrahja ime qysh në bark të nënes sime; ti më nxore nga barku i nënës sime; ty do të drejtohet gjithnjë lëvdimi im.
71:7 Jam bërë për shumë njerëz si një mrekulli, por ti je streha e fortë.
71:8 Goja ime është plot me lëvdimet e tua dhe shpall lavdinë tënde tërë ditën.
71:9 Mos më hidh poshtë në kohën e pleqërisë; mos më braktis kur forca ime po pakësohet.
71:10 Sepse armiqtë e mi flasin kundër meje, dhe ata që kanë ngritur pusi kundër jetës sime thurrin komplote bashkë,
71:11 duke thënë: “Perëndia e ka braktisur; ndiqeni dhe kapeni, sepse nuk ka njeri që ta çlirojë”.
71:12 O Perëndi, mos u largo nga unë; Perëndia im, nxito të më ndihmosh.
71:13 U ngatërrofshin dhe u asgjesofshin kundërshtarët e jetës sime; u mbulofshin me poshtërsi dhe me turp ata që dëshërojnë të më bëjnë të keqen.
71:14 Por unë do të kem shpresa gjithnjë dhe do të të lëvdoj gjithnjë e më tepër.
71:15 Goja ime do të tregojë tërë ditën drejtësinë tënde dhe çlirimet e tua, sepse nuk njoh numrin e tyre.
71:16 Do të thellohem në veprat e fuqishme të Zotit, të Zotit, dhe do të kujtoj drejtësinë tënde, vetëm tënden.
71:17 O Perëndi, ti më ke mësuar që në fëmijëri; dhe deri më sot unë kam shpallur mrekullitë e tua.
71:18 Edhe tani që jam plakur dhe jam thinjur, o Perëndi, mos më braktis deri sa t`i kem treguar këtij brezi fuqinë tënde dhe mrekullitë e tua gjithë atyre që do të vijnë.
71:19 Edhe drejtësia jote, o Perëndi, arrin deri në lartësitë e qiejve; ti ke bërë gjëra të mëdha. O Perëndi, kush të përngjan ty?
71:20 Ti, që më bëre të provoj shumë fatkeqësira, të rënda, do të më japësh përsëri jetën dhe do të më bësh të ngrihem lart nga humnerat e tokës.
71:21 Ti do të rritesh madhështinë time dhe do të kthehesh të më ngushëllosh.
71:22 Dhe unë do të lëvdoj me harpe për besnikërinë tënde, o Perëndia im, dhe do të këndoj lavdet e tua me qeste, o i Shenjti i Izraelit.
71:23 Buzët e mia do të ngazëllojnë kur do të këndoj lavdet e tua bashkë me shpirtin tim, që ti ke shpenguar.
71:24 Edhe gjuha ime do të flasë tërë ditën për drejtësinë tënde, sepse janë turpëruar dhe janë hutuar ata që kërkonin të më bënin të keqen.