BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Fundi i begatisë ditëshkurtër të njerëzve të këqij
73:1 Me siguri Perëndia është i mirë me Izraelin, me ata që janë të pastër nga zemra.
73:2 Por, sa për mua, gati gati po më pengoheshin këmbët dhe për pak hapat e mia do të shkisnin.
73:3 Sepse i kisha zili mburravecët, duke parë mirëqënien e njerëzve të këqij.
73:4 Sepse nuk ka dhembje në vdekjen e tyre, dhe trupi i tyre është i majmë.
73:5 Ata nuk po heqin si vdekatarët e tjerë, as pësojnë goditje si njerëzit e tjerë.
73:6 Prandaj kryelartësia i rrethon si një gjerdan dhe dhuna i mbështjell si një rrobe.
73:7 Sytë u dalin jashtë nga dhjami dhe përfytyrimet e çoroditura të zemrës së tyre vërshojnë.
73:8 Ata tallen dhe kurdisin me pabesi shtypjen, flasin me arrogancë.
73:9 E drejtojnë gojën e tyre kundër qiellit dhe gjuha e tyre përshkon tokën.
73:10 Prandaj njerëzit e tyre kthehen nga ajo anë dhe pijnë me të madhe ujërat e tyre,
73:11 dhe thonë: “Si është e mundur që Perëndia të dijë çdo gjë dhe të ketë njohuri te Shumë i Larti?”.
73:12 Ja, këta janë të pabesë; megjithatë janë gjithnjë të qetë dhe i shtojnë pasuritë e tyre.
73:13 Më kot, pra, pastrova zemrën time dhe i lava duart në pafajësinë time.
73:14 Sepse jam goditur tërë ditën dhe jam ndëshkuar çdo mëngjes.
73:15 Sikur të kisha thënë: “Do të flas edhe unë kështu”, ja, do të kisha mohuar brezin e bijve të tu.
73:16 Atëherë kërkova ta kuptoj këtë gjë, por ajo m`u duk shumë e vështirë.
a 73:17 Deri sa hyra në shenjtoren e Perëndisë dhe mora parasysh fundin e tyre.
73:18 Me siguri, ti i vë në vënde të rrëshqitshme dhe kështu i bën që të bien në shkatërrim.
73:19 Si u shkatërruan në një çast! Ata vdiqën të konsumuar nga tmerri!
73:20 Ashtu si në një ëndërr, kur zgjohesh, kështu edhe ti, o Zot, kur të zgjohesh, do të përbuzësh pamjen e tyre të kotë.
73:21 Kur zemra ime acarohej dhe e ndjeja veten sikur më shponin nga brenda,
73:22 unë isha pa mend dhe pa kuptim; para teje isha si një kafshë.
73:23 Por megjithatë unë jam gjithnjë me ty; ti më ke kapur nga dora e djathtë.
73:24 Ti do të më udhëheqësh me këshillën tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi.
73:25 Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje.
73:26 Mishi im dhe zemra ime nuk mund të ligështohen, por Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi.
73:27 Sepse ja, ata që largohen prej teje do të vdesin; ti shkatërron tërë ata që, duke kurvëruar, largohen prej teje.
73:28 Por sa për mua, e mira është t`i afrohem Perëndisë; e kam bërë Zotin tim, Zotin, strehën time, për të treguar gjithë veprat e tua.