BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Perëndia qorton Izraelin për mosmirënjohjen e tij dhe për rebelimet e tij
81:1 I këndoni me gëzim Perëndisë, forcës sonë; lëshoni britma gëzimi për Perëndinë e Jakobit.
81:2 Lartoni një këngë dhe i bini dajres, harpës melodioze bashkë me lirën.
81:3 I bini borisë ditën e hënës së re, ditën e hënës së plotë, ditën e festës sonë.
81:4 Sepse ky është një statut për Izraelin, një ligj i Perëndisë të Jakobit.
81:5 Ai e caktoi si një dëshmi te Jozefi, kur doli kundër vendit të Egjiptit. Atëherë unë dëgjova një gjuhë që nuk e kuptoja;
81:6 “O Izrael, unë e hoqa barrën nga shpatullat e tua; duart e tua e kanë lënë shportën.
81:7 Kur ishe keq ti më klithe mua dhe unë të çlirova; t`u përgjigja i fshehur në bubullimë, të vura në provë në ujërat e Meribas. (Sela)
81:8 Dëgjo, o populli im, dhe unë do të qortoj. O Izrael, sikur ti të më dëgjoje!
81:9 Mos pastë në mesin tënd asnjë perëndi të huaj dhe mos adhuro asnjë perëndi të huaj.
81:10 Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit; hap gojën tënde dhe unë do të ta mbush.
81:11 Por populli im nuk e ka dëgjuar zërin tim dhe Izraeli nuk më është bindur.
81:12 Prandaj i braktisa në ashpërsinë e zemrës së tyre, me qëllim që të ecnin sipas bindjeve të tyre.
81:13 Ah, sikur populli im të më dëgjonte, sikur Izraeli të ecte në rrugët e mia!
81:14 Do të poshtëroja menjëherë armiqtë e tij dhe do ta ktheja dorën time kundër kundërshtarëve të tij.
81:15 Ata që urrejnë Zotin do t`i nënshtroheshin dhe fati i tyre do të caktohej përjetë.
81:16 Dhe unë do ta ushqeja (Izraelin) me grurin më të mirë dhe do ta ngopja me mjaltin që pikon nga shkëmbi”.