BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR
Thirrje për premtimet e Perëndisë në vuajtjen e tanishme
89:1 Unë do të këndoj përjetë mirësitë e Zotit, me gojën time do t`u shpall besnikërinë tënde të gjitha brezave.
89:2 Sepse kam thënë: “Mirësia jote do të ekzistojë përjetë, ti do të vendosësh besnikërinë tënde në vetë qiejtë”.
89:3 “Unë kam lidhur një besëlidhje me të zgjedhurin tim, i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim, duke thënë:
89:4 “Do t`i vendos pasardhësit e tu përjetë dhe do të ndërtoj fronin tënd për të gjitha brezat””. (Sela)
89:5 Dhe qiejtë do të kremtojnë mrekullitë e tua, o Zot, dhe besnikërinë tënde në kuvendin e shenjtorëve.
89:6 Sepse kush mund të krahasohet në qiell me Zotin? Dhe kush është i njëllojtë me Zotin midis bijve të të Fuqishmit?
89:7 Perëndisë ia kanë frikën shumë në kuvendin e shenjtorëve, dhe respektohet thellë nga tërë ata që e rrethojnë.
89:8 O Zot, Perëndi i ushtrive, kush është i fuqishëm si ti, o Zot? Besnikëria jote të rrethon kudo.
89:9 Ti e sundon tërbimin e detit; kur valët e tij ngrihen, ti i qetëson.
89:10 Ti e ke bërë copë-copë Egjiptin, duke e plagosur për vdekje; me krah të fuqishëm ke shpërndarë armiqtë e tu.
89:11 Qiejtë janë të tutë, edhe toka është jotja; ti e ke krijuar botën dhe të gjitha atë që janë në të.
89:12 Ti ke krijuar veriun dhe jugun; Tabori dhe Hermoni lëshojnë britma gëzimi kur dëgjojnë emrin tënd.
89:13 Ti ke krah të fuqishëm; dora jote është e fortë, e djathta jote ngrihet në qiell.
89:14 Drejtësia dhe e drejta përbëjnë bazën e fronit tënd; mirësia dhe e vërteta shkojnë përpara fytyrës sate.
89:15 Lum ai popull që njeh britmën e gëzimit, o Zot, sepse ai do të ecë në dritën e fytyrës sate;
89:16 do të ngazëllojë tërë ditën me emrin tënd dhe do të gëzohet shumë në drejtësinë tënde.
89:17 Po, ti je mburrja e forcës së tyre, dhe me favorin tënd ti e shton fuqinë tonë.
89:18 Sepse mburoja jonë i përket Zotit dhe mbreti ynë të Shenjtit të Izraelit.
89:19 Ti i fole atëherë në vegim të dashurit tënd dhe the: “Ndihmova një të fuqishëm, përlëvdova një të zgjedhur nga populli.
89:20 Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, dhe e vajosa me vajin tim të shenjtë.
89:21 Dora ime do ta përkrahë me vendosmëri dhe krahu im do ta forcojë.
89:22 Armiku nuk do ta shtypë dhe i ligu nuk do ta pikëllojë.
89:23 Do të asgjesoj para tij armiqtë e tij dhe do të godas ata që e urrejnë.
89:24 Besnikëria ime dhe mirësia ime do të jenë me të, dhe me emrin tim do të bëhet i fuqishëm.
89:25 Do ta shtrij dorën e tij mbi detin dhe dorën e djathtë të tij mbi lumenjtë.
89:26 Ai do të kërkojë ndihmën time, duke thënë: “Ti je Ati im, Perëndia im dhe Kështjella ime e shpëtimit”.
89:27 Do ta bëj gjithashtu të parëlindurin tim, më të shkëlqyerin ndër mbretërit e dheut.
89:28 Do të përdor mirësi ndaj tij përjetë, dhe besëlidhja ime me të do të mbetet e qëndrueshme.
89:29 Do t`i bëj gjithashtu pasardhësit e tij të përjetshem dhe fronin e tij si ditët e qiejve.
89:30 Në rast se bijtë e tij braktisin ligjin tim dhe nuk ecin, sipas urdhërimeve të mia,
89:31 në rast se shkelin statutet e mia dhe nuk respektojnë urdhërimet e mia,
89:32 unë do ta dënoj shkeljen e tyre me shufër dhe paudhësinë e tyre me të rrahura,
89:33 por nuk do ta heq mirësinë time prej tij dhe nuk do të lë që besnikëria ime të jetë e mangët.
89:34 Nuk do të shkel besëlidhjen time dhe nuk do t`i ndryshoj fjalët që kanë dalë nga goja ime.
89:35 Jam betuar një herë për shenjtërinë time dhe nuk do ta gënjej Davidin;
89:36 pasardhësit e tij do të jenë përjetë dhe froni i tij do të jetë si dielli para meje,
89:37 do të jenë të qëndrueshëm si hëna, dhe dëshmitari në qiell është besnik”. (Sela)
89:38 Por ti na ke braktisur dhe na ke kthyer; je zemëruar shumë kundër të vajosurin tënd.
89:39 Ti ke përçmuar besëlidhjen e lidhur me shërbëtorin tënd dhe ke përdhosur kurorën e tij, duke bërë që të bjerë për tokë.
89:40 Ke shembur gjithë mbrojtjet e tij dhe i ke katandisur në gërmadha kalatë e tij.
89:41 Tërë kalimtarët e kanë plaçkitur dhe ai është bërë gazi i fqinjëve të tij.
89:42 Ke lavdëruar dorën e djathtë të kundërshtarëve të tij dhe ke bërë të gëzohen tërë armiqtë e tu.
89:43 Ke prishur tehun e shpatës së tij dhe nuk e ke ndihmuar në betejë.
89:44 I ke dhënë fund madhështisë së tij dhe ke hedhur për tokë fronin e tij.
89:45 Ke shkurtuar ditët e rinisë së tij dhe e ke mbuluar me turp. (Sela)
89:46 Deri kur, o Zot? A do të fshihesh ti përjetë? A do të flakërojë si zjarr zemërimi yt?
89:47 Kujto sa e shkurtër është jeta ime. Për çfarë kotësie ke krijuar gjithë bijtë e njerëzve?
89:48 Cili është njeriu që jeton, pa parë vdekjen dhe që mund ta shkëputë jetën e tij nga pushteti Sheolit? (Sela)
89:49 Ku janë, o Zot, mirësitë e tua të lashta, për të cilat iu betove Davidit në besnikërinë tënde?
89:50 Kujto, o Zot, fyerjen që iu bë shërbëtorëve të tu, dhe si unë mbaj në zemër fyerjen e rëndë të të gjitha kombeve,
89:51 me të cilën armiqtë e tu kanë fyer, o Zot, me të cilën kanë fyer hapat e të vajosurit tënd.
89:52 I bekuar qoftë Zoti përjetë. Amen, po, amen!