Psalmi 99

BIBLA SHQIP—PËRKTHIMI DIODATI I RI I RISHIKUAR


Himn lavdërimi Zotit për besnikërinë e tij ndaj Izraelit

99:1 Zoti mbretëron, popujt le të dridhen. Ai është ulur mbi Kerubinët, toka le të dridhet.

99:2 Zoti është i madh në Sion dhe i shkëlqyeshëm mbi të gjithë popujt.

99:3 Ata do të kremtojnë emrin tënd të madh dhe të tmerrshëm. Ai është i shenjtë.

99:4 Mbreti është i fuqishëm dhe e do drejtësinë. Ti e ke vendosur të drejtën dhe e ushtrove Jakobin në gjykim dhe drejtësi.

99:5 Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe bini përmbys përpara stolit të këmbëve të tij. Ai është i shenjtë.

99:6 Moisiu dhe Aaroni qenë ndër priftërinjtë e tij, dhe Samueli ndër ata që përmendën emrin e tij; ata iu drejtuan Zotit dhe ai iu përgjigj atyre.

99:7 Ai u foli atyre nga kolona e resë, dhe ata respektuan dëshmitë e tij dhe statutet që u dhe atyre.

99:8 Ti plotësove dëshirën e tyre, o Zot, Perëndia ynë. Ti ishe për ata një Perëndi që fal, dhe kur dënon prapësitë e tyre.

99:9 Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe adhurojeni në malin e tij të shenjtë, sepse Zoti, Perëndia ynë, është i shenjtë.

[previous][next]